Një muaj pas vrasjes së Enver Bajraktarit në fshatin Baincë të komunës së Lipjanit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një bastisje në banesën e Top Kolshit, person i dyshuar për përfshirje në këtë krim të rëndë dhe për ndihmë në fshehjen e trupit të viktimës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, bastisja u zhvillua më 3 shtator 2025, rreth orës 12:05, me autorizim të lëshuar nga Gjykata kompetente. Gjatë aksionit, zyrtarët policorë kanë sekuestruar një armë zjarri të llojit pushkë gjysmëautomatike.
Top Kolshi, tashmë i ndaluar, ndodhet në paraburgim që nga 13 gushti 2025, me vendim gjyqësor që argumenton rrezikun e mundshëm për arratisje apo pengim të hetimeve nëse i lejohet liria. Gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet hetimore, Kolshi ka pranuar fajësinë për përfshirjen në veprën penale.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se hetimet janë në vazhdim dhe ekzistojnë dyshime të bazuara për përfshirjen e personave të tjerë në këtë krim, të cilët ende nuk janë identifikuar.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të gjithë të përfshirëve në rastin që ka tronditur opinionin publik.