Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, ka përfunduar pa një marrëveshje konkrete. Bisedimet zgjatën rreth dy orë dhe në fokus ishin ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhja e presidentit të ri.
Pas takimit, Hamza tha se nuk përjashtohet mundësia që palët të zhvillojnë sërish bisedime gjatë ditëve në vijim.
Sipas tij, hapi i parë duhet të jetë procedimi dhe miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa diskutimi për presidentin do të vijë më pas.
“Nuk ka marrëveshje, por nuk e përjashtoj mundësinë për takime në ditët e ardhshme. Prioritet janë ndryshimet për Ligjin për Specialen. Aprovimi i ligjit, pastaj diskutojmë për presidentin”, deklaroi Hamza pas takimit.
Takimi zhvillohet në një periudhë të rëndësishme për Kosovën, pasi Kuvendi ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja.
