James Rubin, njëri nga njerëzit më të afërt të Madeline Albright e Bill Clinton, gjatë dëshmisë së mbrojtjes në Hagë në procesin kundër krerëve të UÇK-së, ka përmendur ndër të tjera se Ramush Haradinaj ka qenë bashkëpunëtor i CIA-s.

Lidhur më këtë deklaratë që bëri bujë në Kosovë, Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, flet në Rubikon për herë të parë, se kur dhe si ka rënë në kontakt me CIA-n.

“Me të drejtë e tha zoti Rubin, nuk tha në dëshmi diçka që nuk qëndron. E tha me të drejtë se ne edhe para luftës frontale kemi pasur komunikim me institucionet e sigurisë amerikane para vitit 1998. Para fillimit të përgatitjes së luftës sonë kanë ndodhur komunikime. Personalisht kemi komunikuar, i kemi pas të vazhdueshme me institucionet e sigurisë, institucionet e respektueshme të Amerikës”.

“Mendoj pse ata kanë pasur disa motive pse janë taku me ne. Për çdo gjë duan të jenë të informuar të parët jo veç për planin e sigurisë, pra ata e kanë pasur interes me na zbulu, me kuptu kush jemi, me i kuptu qëllimet tona dhe me ndërtu një pozicionin se çka me u sugjeru vendimmarrësve në Amerikë lidhur më atë që po ndodhte. Ka qenë detyra jem me thënë të vërtetën, që me m’njoftë fillimisht ata mua. Unë në atë kohë ende lëvizja në Zvicër”, tregoi Hardinaj.

Haradinaj më tej ka treguar se si janë koordinuar me CIA-n amerikane dhe se për çfarë ka qenë e rëndësishme që të koordinoheshin, ku theksoi se komunikimet me institucionet e sigurisë amerikane, nuk janë ndaluar as gjatë kohës së luftës.

“Te qëllimet ka qenë shumë me rëndësi me u sqaru që nuk jemi vetëm një krah majtist ushtarak, me sqaru që nuk kemi orientime ose s’po bëjmë luftë fetare ose edhe ndëretnike, por qëllimi është çlirimi i vendit, të drejtat, demokracia, liria… këto që ndodhën realisht. Sado pak që kam mundur me ndihmu, më vjen mirë”.

“Përparësi ka qenë se duke jetuar jashtë kam mundur me komuniku përmes dy gjuhëve, anglisht e frëngjisht, kam komuniku direkt por edhe gjatë luftës komunikimi nuk është ndalë asnjëherë me institucionet e sigurisë së Amerikës. Komunikojmë edhe sot”, tha Haradinaj.