Hoxha nga Drenasi, Osman Musliu, nuk është përmbajtur nga lotët, të premten, kur gjatë një adresimi para faljes së namazit të xhumasë në xhaminë e këtij qyteti njoftoi besimtarët se nuk do të jetë më imam në këtë objekt fetar.

Mulla Osmani ka vendosur të futet në politikë, duke iu bashkuar “Lëvizjes Vetëvendosje” si kandidat i kësaj partie për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit. Në një deklaratë para besimtarëve, ai tha se nuk dëshiron që asnjë besimtar të ndihet i përjashtuar apo ta shohë imamin si mbështetës të një partie apo grupacioni politik.

Në adresimin emocional, gjatë të cilit lotët ia ndërprenë fjalët disa herë, tha se gjatë gjithë angazhimit të tij ka mbështetur atë që e ka konsideruar të mirë për vendin, fenë dhe shoqërinë, duke shtuar se do të vazhdojë të kontribuojë për Kosovën, familjen dhe fenë islame edhe jashtë detyrës së imamit.

“Edhe pse ju kam dukur ndonjëherë që i kam bërë disa lufta, përpjekje, se s’po e quaj luftë në kuptimin e parë, përpjekje me e ndaluar një të keqe që unë kam menduar që është e keqe, asnjëherë ju nuk jeni ftohur prej meje, më keni mbështetur, edhe prej sodit, unë do t’jua lypi ndihmën. Unë kam qenë borxhli me mbështetjen e juaj, edhe duhet t’jua kthej prapë, por nuk do të kryej detyrën e imamit. Pra, për arsye se nuk dua me e ndier veten keq asnjë njeri në xhami, që me thënë hoxha është mbështetës i një partie politike, apo i një grupacioni politik, por dua me qenë çdo xhemat që vjen në xhami me e ndier veten që është për Zotin, me kry obligimin e vet fetar, dhe kur imami, sepse nganjëherë njerëzit dinë me kombinu edhe dy lojëra.

Me u paraqit si apartiak, a prapaskena, unë nuk po du me u paraqit i tillë. Domethënë, as si paraqit partiak. Është e vërtetë që e kam mbështetur të mirën, e kam dashur të mirën, kam luftuar kundër të keqes, kam me luftuar kundër të keqes, pa marrë parasysh derisa, deri në frymën e fundit, do të mundohem të jem njeri që jam i dobishëm për Kosovën, për shqiptarinë, për familjen dhe për fenë. Pra, për mua janë tri, tri gjëra që s’kam lejuar kurrë me luajtur. Familja, feja dhe atdheu. Pra, unë jua bëj hallall juve të gjithëve. Kërkoj edhe ju të ma bëni hallallin mua, inshallah“, tha Musliu.