Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj pritej të nisej drejt Hagës në orën 12:30.

Zyra e kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj, përmes një komunikate për media ka njoftuar se është shtyrë për disa orë fluturimi i tij.

"Ju njoftojmë se fluturimi me të cilin ka pasur të udhëtojë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj për në Hagë, është shtyrë për disa orë, për shkak të vonesave të kompanisë së fluturimeve Austrian Airlines", thuhet në njoftim.

Postimi i Haradinajt në Facebook

"Luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën!

Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë. Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me ShBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje.

Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbrojë gjithmonë.