Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës — Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit — hyn në një nga fazat përfundimtare, me nisjen e deklaratave përmbyllëse nga sot, 9 shkurt. Kjo fazë procedurale do të zgjasë deri më 18 shkurt.
Sipas kalendarit të publikuar nga gjykata, më 11 shkurt do të paraqiten argumentet përfundimtare të mbrojtjes së Hashim Thaçit, ndërsa po atë ditë nis edhe paraqitja e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit, e cila do të vijojë edhe më 12 shkurt. Në të njëjtën datë do të fillojë edhe deklarata përmbyllëse e mbrojtjes së Rexhep Selimit.
Seancat për Selimin do të vazhdojnë edhe më 13 shkurt, ditë kur do të nisë gjithashtu edhe mbrojtja përfundimtare e Jakup Krasniqit. Argumentet e mbrojtjes së këtij të fundit do të vazhdojnë më 16 shkurt, së bashku me pyetjet eventuale të trupit gjykues. Ndërkohë, më 18 shkurt parashikohen përgjigjet finale të palëve dhe deklaratat personale të të akuzuarve.
Prokuroria e Specializuar i ngarkon të akuzuarit me një sërë veprash penale që klasifikohen si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Sipas aktakuzës, bëhet fjalë për ndalime të paligjshme, trajtim çnjerëzor, tortura dhe vrasje, si dhe përndjekje, zhdukje me forcë dhe akte të tjera të rënda, të cilat pretendohet se kanë ndodhur në periudhën mars 1998 – shtator 1999, në disa zona të Kosovës dhe në pjesë të veriut të Shqipërisë.
Aktakuza kundër katër ish-udhëheqësve u miratua në tetor të vitit 2020 dhe u bë publike në fillim të nëntorit të po atij viti, kohë kur ata u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Më pas, procesi kaloi në fazën paraprake, e cila përfshiu një seri konferencash procedurale dhe shkëmbim të materialeve mes prokurorisë dhe mbrojtjes.
Seancat kryesore të gjykimit nisën në prill 2023, kur u mbajtën deklaratat hyrëse. Prokuroria dhe përfaqësuesit e viktimave pretenduan se ekzistonte një strukturë e organizuar që synonte eliminimin ose frikësimin e kundërshtarëve të perceptuar të UÇK-së, përfshirë edhe shqiptarë të Kosovës.
Në anën tjetër, ekipet mbrojtëse kundërshtuan këto pretendime, duke argumentuar se UÇK-ja nuk funksiononte si një strukturë e centralizuar komanduese dhe se akuzat për një ndërmarrje të përbashkët kriminale nuk qëndrojnë.
Në këtë fazë foli edhe Hashim Thaçi, i cili deklaroi se gjatë procesit nuk është vërtetuar ekzistenca e pretendimeve për trafikim organesh dhe se çështja e ashtuquajturës “Shtëpia e Verdhë” nuk ka pasur bazë faktike. Ai e cilësoi raportin e vitit 2011 të Këshillit të Evropës si një njollë të padrejtë mbi Kosovën, e cila sipas tij tashmë është hedhur poshtë.
Gjatë dy viteve të fundit të procesit, gjykata ka dëgjuar dhjetëra dëshmitarë dhe ka shqyrtuar një sasi të konsiderueshme provash. Në proces janë përfshirë rreth 155 viktima pjesëmarrëse. Prokuroria ka paraqitur mbi njëqind dëshmitarë në sallë, ndërsa shumë të tjerë kanë dhënë dëshmi me shkrim. Ndër dëshmitë që tërhoqën më shumë vëmendje ishte ajo e Fadil Gecit, i cili në vitin 2024 deklaroi se kishte qenë objektiv i sulmeve të organizuara, pretendim që u kundërshtua fort nga pala mbrojtëse.
Në ditët në vijim, deklaratat përmbyllëse pritet të përmbyllin këtë kapitull të gjatë gjyqësor, duke e çuar procesin drejt fazës së vendimit përfundimtar.
