Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës (MPJD) u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin kalimin nëpërmjet Serbisë.

Në njoftimin e kësaj ministrie thuhet se MPJD gjatë ditës ka pranuar raportime për arrestime të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përgjatë kalimit të tyre nëpër Serbi, dhe po merret nga afër me rastet nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Beograd.

“Marrë parasysh zhvillimet e fundit, dhe duke e njohur qasjen jo korrekte të autoriteteve serbe, me qëllim të shmangies të çfarëdo incidenti, MPJD fton qytetarët që të përdorin rrugë alternative për udhëtim”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Të hënën protestuesit kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.