Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e policit Afrim Bunjaku, i cili u ekzekutua në krye të detyrës nga grupi terrorist serb.

Ka qenë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku, i cili bëri të ditur telefonatën e Thaçit për familjen Bunjaku.

Sipas Lushtakut, ish-presidenti Thaçi shprehet i prekur thellësisht nga rënia e Bunjakut, e po ashtu shpreh mirënjohje për sakrificën e lartë në shërbim të atdheut.

Përmes një statusi në Facebook, Lushtaku shkruan se vizitoi familjen e heroit Afrim Bunjaku “për të shprehur ngushëllimet më të thella për sakrificën e heroit më të ri të Republikës, i cili ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit të shtetit të Kosovës.”

Postimi i plotë i Sami Lushtakut:

Me miq, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, vizituam familjen e heroit Afrim Bunjaku, për të shprehur ngushëllimet më të thella për sakrificën e heroit më të ri të Republikës, i cili ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit të shtetit të Kosovës.

Nga Haga, përmes telefonit, familjarët e Afrimit i ngushëlloi edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili është prekur thellësisht nga rënia e tij, duke shprehur mirënjohje për sakrificën e lartë të tij në shërbim të atdheut.

Ngushëllimet më të thella familjes Bunjaku, miqve dhe dashamirëve!

Lavdi veprës së heroit Afrim Bunjaku!