Analisti Fatmir Sheholli është arrestuar një ditë më parë nën dyshime për spiunazh me Listën Serbe. Mediat në Kosovë kanë publikuar audio-përgjimet, ku analisti bisedon me dy persona, të cilëve iu tregon për lidhjet me Listën Serbe dhe me Milan Radoiçiç.
“Unë kam përkrahje të madhe në Serbi. Kam përkrahje jashtëzakonisht të madhe nga Lista Serbe, në gjithçka..Prandaj them që është mjaft e çuditshme në opinion, por nga ana tjetër…do të thotë që unë duhet të…miku im i madh është Milan Radoiçiç. Miku im i madh, edhe mik i tyre. Kjo që po ndodh, këtë që po flasim merre me rezervë”, thotë Sheholli gjatë bisedës.
Ditën e djeshme, bërmes një njoftimi zyrtar, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla konfirmoi arrestimin, duke theksuar se institucionet e sigurisë kanë grumbulluar prova që e lidhin Shehollin me veprime të dyshimta që bien ndesh me sigurinë kombëtare.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh. Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj.
Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”-njoftoi Sveçla.