Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot u zhvillua seanca ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit, të cilët akuzohen për kërcënime ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Të dy të pandehurit u deklaruan të pafajshëm, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe duke theksuar se nuk ka elemente që të përbëjnë vepër penale.

Kryeministri Kurti ishte prezent në gjykatë si palë e dëmtuar dhe njoftoi se do ta përfaqësojë vetveten, pa kërkuar dëmshpërblim.

Gjykatësi Rrahman Beqiri bëri të ditur se mbrojtja ka një afat prej 30 ditësh për të kundërshtuar provat e paraqitura nga Prokuroria, pas mohimit të fajësisë nga të akuzuarit.