Një ngjarje e pazakonshme ndodhi të enjten pasdite në një supermarket në Shupkovc të Mitrovicës.

Raportohet se një gjarpër ka hyrë brenda ambienteve të biznesit, duke shkaktuar edhe panik tek stafi dhe qytetarët që ndodheshin brenda. Ndërkohë, dy punëtore raportohet se kanë përfunduar në spital pasi janë ndjerë keq nga spraji paralizues ushtarak, që u hodh në  hapësirat e marketit për të larguar zvarranikun.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, cili bëri të ditur se rasti është iniciuar për veprat “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Sipas policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, kishte përdorur sprejin paralizues brenda marketit dhe për pasojë dy punëtore kanë pësuar pasoja dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor.

“Lidhur me rastin e lartcekur, si pasojë e përdorimit të sprejit nga i dyshuari mashkull kosovar, ndihmë mjekësore kanë pranuar dy viktimat femra kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit lirohet në procedurë të rregullt”, deklaroi Zahiti.

Ndërkohë, nga Spitali Rajonal i Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, kanë bërë të ditur se dy gratë kanë marrë ndihmë emergjente dhe më pas janë liruar për në shtëpi.