Gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë dalë kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për postin e presidentit, emër që u dakordësua me Lëvizjen Vetëvendosje për t’i dhënë fund krizës në vend. Avdullah Hoti, Hykmete Bjarami, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri janë deklaruar kundër kandidaturës së Sejdiut pë President.
Kjo u bë me dije nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, i cili theksoi se vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.
“Me keqardhje të madhe për popullin e Kosovës dhe fatin e Republikës, gjashtë deputetë të LDK kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e LDK-së, konkretisht Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri, kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar. Kërkoj falje për popullin e Kosovës, kaq munda, nuk munda me tepër, jo me këtë grup parlamentar, me këtë ndarje, me këtë përçarje. U mundova të jap një njeri të dinjitetshëm, kundrejt një partie që kishte synime absolute. Unë me 12 deputetë do të jem në sallë ditën kur të votohet Presidenti”, tha Abdixhiku
Përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të siguruar mbështetje sa më të gjerë për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president po has në kundërshtimin e dy partive kryesore opozitare. Pas Partisë Demokratike të Kosovës, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bëri të qartë se nuk do ta votojë kandidatin e propozuar nga LVV-ja dhe LDK-ja.
Bekim Sejdiu u propozua si kandidat i përbashkët për president nga LVV-ja dhe LDK-ja pas marrëveshjes së arritur më 31 gusht, në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik që ka bllokuar krijimin e institucioneve të reja në Kosovë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
