Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë publike arsyet e vendimit për pezullimin nga detyra të kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila kishte trajtuar rastin e Arlinda Zekajt, të vrarë mbrëmjen e 25 tetorit.
Në arsyetimin e vendimit, KPK-ja pretendon se kryeprokurorja Vuçetaj ishte vënë në dijeni vazhdimisht për kërkesat urgjente të Zekajt, e cila kishte denoncuar se jeta e saj ishte në rrezik. Sipas Këshillit, ajo kishte marrë informacione nga prokurorët që kishin trajtuar çështjet e viktimës, raporte zyrtare të Policisë, si dhe njoftime nga vetë KPK-ja dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Megjithatë, sipas vendimit, Vuçetaj nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për trajtimin e kërkesave, pavarësisht paralajmërimeve për rrezikun që i kanosej Zekajt. KPK-ja vlerëson se kjo neglizhencë e vazhdueshme kishte çuar në pasoja fatale.
Edhe për prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri, Këshilli ka renditur disa shkelje të pretenduara në trajtimin e rastit. Në arsyetim thuhet se më 22 tetor, pasi Policia ishte njoftuar për shkeljen e urdhrit të mbrojtjes nga bashkëshorti i Zekajt, prokurorja kishte udhëzuar që ai të intervistohej në cilësinë e dëshmitarit.
Sipas KPK-së, ky veprim kishte anashkaluar faktin se ndaj Zekajt ishte bërë një kanosje e drejtpërdrejtë për privim nga jeta dhe nuk ishte vlerësuar niveli i rrezikut që i kanosej asaj.
Këshilli thekson gjithashtu se Nallbani-Gacaferri ishte në dijeni të kërkesave urgjente të viktimës, pasi ushtronte edhe funksionin e koordinatores për dhunën në familje. Megjithatë, sipas vendimit, ajo nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së Zekajt.
Ndaj të dy prokuroreve është hapur edhe procedurë disiplinore, ndërsa është ngritur një panel hetimor për shqyrtimin e rastit.
