Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major, Enrico Barduani, ka njoftuar se ka informuar Këshillin e Atlantikut të Veriut për kontributin e KFOR-it në Bruksel për sigurinë e qëndrueshme në gjithë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal.

Barduani ka thënë se ky ishte raportimi i fundit i tij para Këshillit, pasi që i përfundon mandati.

“Situata në Kosovë është e qëndrueshme, por mbetet e ekspozuar ndaj rrezikut të përshkallëzimit të papritur për shkak të një sërë çështjesh të pazgjidhura. Ende ka shumë variabla në skenën politike, përfshirë ngërçin politik aktual në Prishtinë”, ka thënë Barduani në videon e publikuar në rrjetin social ‘Facebook’.

Sipas tij, për të ecur përpara është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet ekzistuese.

“Të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme. Kjo është çelësi i sigurisë së qëndrueshme në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në mbështetje të këtij procesi të rëndësishëm”.

Ai ka vlerësuar se bashkëpunimi me partnerët vetëm sa është thelluar gjatë mandatit të tij.

“Para se të përfundoj, dua të shpreh mirënjohjen time për të gjitha vendet kontribuuese të trupave të KFOR-it për mbështetjen e tyre kyçe ndaj misionit tonë”.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.