Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë (SACEUR), gjenerali Alexus G. Grynkewich, ka zhvilluar një vizitë në Kosovë, ku është pritur nga komandanti i KFOR-it, Roberto Vergori.

Sipas njoftimit të KFOR-it, vizita rikonfirmon angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë.

Gjatë takimit, dy gjeneralët diskutuan procesin e optimizimit të misionit të KFOR-it, i cili mbështetet në vlerësimin e zhvillimeve pozitive në situatën e sigurisë.

KFOR-i bëri të ditur se çdo ndryshim në madhësinë dhe përbërjen e misionit do të kryhet në mënyrë graduale dhe të kujdesshme, bazuar në vlerësimet e vazhdueshme në terren. Gjithashtu, u theksua se këto përshtatje do të jenë të kthyeshme në rast të zhvillimeve që mund të cenojnë sigurinë lokale apo stabilitetin rajonal.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Grynkewich dhe Vergori zhvilluan takime edhe me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të Listës Serbe. Në këto bisedime u nënvizua rëndësia e zgjidhjeve politike, dialogut gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimit për garantimin e sigurisë së qëndrueshme.

Vizita përfundoi në Manastirin e Graçanicës, ku dy gjeneralët u takuan me përfaqësues të komunitetit fetar.

Në përfundim, KFOR-i rikonfirmoi se do të vijojë të kontribuojë për një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës, në përputhje me mandatin e tij të përcaktuar nga OKB-ja.