Kryeministri i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se partia e tij ka bërë një ofertë konkrete për bashkëqeverisje me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, me qëllim krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
“Me Limajn kemi zhvilluar një takim pardje. LVV-ja dhe unë kemi shprehur interesimin dhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e mirë, ta kemi konstitutim të Kuvendit dhe Qeverinë,” tha Kurti në një konferencë për media.
Ai sqaroi se nuk mund të japë detaje për ofertën, pasi ende nuk është kthyer në marrëveshje, ndërsa shtoi se “nevojitet të vazhdojnë bisedimet dhe vullneti politik”.
Kurti shpreson që negociatat me Nismën Socialdemokrate të përmbyllen brenda javës. “Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj,” theksoi ai.
Procesi i konstituimit të Kuvendit është bllokuar tashmë për herë të 50-të, për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive, veçanërisht mbi mënyrën e votimit të kryetarit të Kuvendit nga votim i hapur në të mbyllur.
Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar atë figurë përçarëse, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar të mbështesë çdo kandidat të propozuar nga LVV-ja.
Nisma Socialdemokrate, nga ana tjetër, ka shprehur interes që Fatmir Limaj të zgjidhet kryeparlamentar në këmbim të votave për formimin e Qeverisë së re.
Gjykata Kushtetuese ka caktuar afatin përfundimtar deri më 26 korrik për konstituimin e Kuvendit, por Kurti u shpreh se nuk dihet çfarë pasoja ligjore do të ketë nëse ky afat nuk respektohet, pasi një gjë e tillë nuk parashikohet në aktgjykim.
Takimi i fundit mes Kurtit dhe Limajt u zhvillua gjatë fundjavës, në përpjekje për të gjetur kompromis dhe për të zhbllokuar procesin që ka hyrë në ngërç institucional.
