Është konstituar Kuvendi i Kosovës.
Seanca u drejtua nga Avni Dehari si deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga Fatma Tuci si deputetja më e re në moshë.
Rendi i ditës së kësaj seance është miratuar të martën. Nisi me formimin e komisionit për verifikimin e mandateve dhe vazhdoi me betimin e deputetëve. Fjalën e betimit e lexoi kryetari i seancës, ndërsa deputetët e pranishëm përsëritën pas tij: “Betohem”. Pas leximit, të gjithë deputetët nënshkruan personalisht deklaratën e betimit.
Në sallë janë të pranishëm 118 deputetë. Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenuan. LDK, PDK dhe Lista Serbe votuan kundër. Abstenoi AAK-ja.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu në fjalën e saj të parë pas zgjedhjes tha se detyra e deputetëve është tu shërbejnë qytetarëve.
“Pavarësisht se dallimet tona janë reale, qëllimet janë të përbashkëta”, u shpreh ajo.
“Ju ftoj që debatet t’i zhvillojmë me argumente, nuk është e nevojshme të mendojmë njësoj, por është e rëndësishme të punojmë për një qëllim. Sot këtu vijmë pasi gjatë tërë ditës kishim seancën ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Dihet kush ka qenë agresori, dihet kush ka kryer krime në vendin tonë. Ato krime janë kryer nga Serbia që asnjëherë nuk u dënuan. Ne presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më shpejt në vendin e tyre dhe familjet e tyre”, tha kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit të Kosovës.
Në vijim të seancës u zgjodhën edhe 5 nënkryetarët e Kuvendit të Kopsovës.
LVV propozoi Ardian Golën, PDK Vlora Çitakun, LDK Kujtim Shalën, Lista Serbe Sllavko Simiq dhe Grupi Multietnik Emilia Rexhepin.
Të gjithë emrat u konfirmuan me me 104 vota për, 3 kundër dhe 6 abstenime.
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se i takon partisë fituese- të sigurojë votat për formimin e institucioneve dhe të mos vazhdojë me bllokada si vitin e kaluar. Ai paralajmëroi se LDK-ja nuk do të mbështesë asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit pa një marrëveshje politike mes partive.
“Asnjëherë nuk i kemi lidhur vendimet tona me emra të përveçëm; krejt çka kemi thënë është se pa marrëveshje politike ne nuk votojmë asnjë kandidat”, tha Zemaj para nisjes së seancës konstituive.
