Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu ka bërë të ditur se konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është tejkaluar dhe rekordet e mëparshme të ngarkesës së regjistruar në sistem.
Kosova po përballet me një situatë të rënduar energjetike, pasi konsumi i energjisë elektrike ka tejkaluar të gjitha rekordet e mëparshme.
Tashmë kur ka nisur edhe stina e dimrit, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT ka paralajmëruar mundësinë e reduktimeve në furnizimin me energji elektrike, duke thënë se diçka e tillë mund të imponohet nga mbingarkesa.
Teksa njoftoi se konsumi i rrymës ka shënuar rritje prej 14.33% dhe se piku veçse ka arritur në 1468 megavat/orë, KOSTT-i kërkoi nga qytetarët që të “kursejnë dhe zhvendosin konsumin” në orë tjera, përtej intervaleve 16-20 dhe 22-23
“Konsumi më i lartë vërehet kryesisht në intervalet kohore 09:00–12:00, 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00 ndaj ftojmë të gjithë konsumatorët që kur të jetë e mundur, të zhvendosin përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë të energjisë në orë jashtë pikut, veçanërisht pas mesnatës, kur konsumi është dukshëm më i ulët”, thuhet në njoftim.
KOSST u ka apeluar qytetarëve, institucioneve publike dhe bizneseve që ta përdorin energjinë me kujdes dhe të kontribuojnë që furnizimi të mbetet sa më i qëndrueshëm për të gjithë.
“Për të mbrojtur pajisjet e sistemit dhe për të shmangur mbingarkesat, janë kërkuar këto kufizime të ngarkesës: NS Rahoveci (përfshi zonën e Malishevës): rreth 12 MW, NS Prizreni 1 (përfshi zonën e Dragashit): rreth 10 MW”.
Njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, ka reaguar lidhur me situatën ekonomike dhe të energjisë në vend.
Muharremi ka thënë se sot qytetarët janë më të varfët e më të pasigurt, pasi rryma është kthyer në luks.
“Edhe ma t’varfën, edhe n’terr. A po e shihni si kogja disa aktivitet zgjedhore që po raportohen janë duke u zhvilluar në terr, me llampa e me qirinjë. A thua në cilin shekull jemi? Zoti e di sa fshatëra e vendbanime tjera janë pa energji këto momente.. Na i rritën çmimet e energjisë 2-3 herë brenda një mandati, e na e sollën gati 1 miliardë euro import energjie me çmim 4-5 herë ma të lartë sesa prodhojmë vetë. Tona t’zezat, e prapë nuk kemi rrymë. Sot jemi ma të varfën, ma të pasigurt dhe po jetojmë në një shtet ku rryma është luks, jo shërbim.. për qytetarët familjet dhe ekonominë”.
Kurse, këtë situatë dhe mundësinë e rëndimit të saj, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë Ismet Mulaj e lidhi me mos-përmbushjen e obligimeve nga operatorët e licencuar në sektorin e energjisë.
“Kjo ka ardhur si pasojë e investimeve jo të bollshme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, si atë në domenin e KOSTT-it ashtu dhe atë të KEDS-it”.
Teksa në këtë kontekst përmendi edhe mungesën e investimeve për kapacitet të reja prodhuese të rrymës, Mulaj tha se pasojat e dështimit të akterëve rregullues i vuajnë qytetarët.
“Ndoshta për mungesë të kapacitetit, ndoshta për jo-profesionalizëm, ose në raste të caktuara edhe për favorizim të operatorëve në treg, realisht kanë krijuar një lloj problematike të jashtëzakonshme, që qytetarët, konsumatorët në Kosovë sot, edhe nuk kanë energji të bollshme, edhe cilësia e energjisë nuk është e ajo që kërkohet, por edhe fatura ju vjen shumë e lartë”.
Me ndërprerje të paparalajmëruara të rrymës janë përballur edhe qytetarë të komunave të tjera të Kosovës, duke shkaktuar telashe edhe në funksionim të bizneseve.
Biznesmeni Burim Piraj nga Dragashi ka thënë se nga e shtuna kanë pasur ndërprerje të paparalajmëruara të rrymës dhe nuk kanë marrë përgjigje pse po ndodh kjo.
“Në këtë kohë të dimrit është shumë telashe, pasi ne kemi shumë hapësira në reparte dhe mund të vijë deri te ngrirja e ujërave. Në anën tjetër kemi frigoriferë që duhet të punojnë non-stop. Ne po e aktivizojmë agregatin dhe nuk kemi zgjidhje tjetër. Ne kemi provuar të kontaktojmë KEDS-in dhe KESCO-n nëpërmjet numrit të qendrës së thirrjeve, por nuk kemi arritur të kontaktojmë për të marrë një arsye pse është duke u ndërprerë energjia pa paralajmërim”.
Rritja më e madhe e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë është regjistruar gjatë dy viteve të fundit, duke rënduar më tej faturat e konsumatorëve dhe duke ngritur shqetësime mbi përballueshmërinë e kostove energjetike për qytetarët dhe bizneset. Megjithatë, qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të energjisë elektrike.
Gjatë vitit 2024, shumë komuna të Kosovës u përballën me reduktime të energjisë elektrike.
Për shkak të vjetërsisë disa dekadëshe të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milionë banorët e saj.
Prodhim ka edhe nga burimet e ripërtëritshme, por në sasi më të vogla. Prodhimi i pamjaftueshëm bën që një pjesë e konsiderueshme e furnizimit të sigurohet përmes importeve, të cilat janë të shtrenjta./ Monitor
