Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në një konferencë për mediat sa i përket procesit zgjedhor të presidentit të ri të Kosovës. Ai i kërkoi edhe njëherë opozitës që të paraqitet në seancë dhe të paraqesë listën me tre kandidatë dhe që Kosova të ketë një president të ri, përndryshe vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të tjera të parakohshme.
“Nëse sillni propozimet, sonte Kosova bëhet me president ose presidente të re. Varet kush fiton. Së fundmi, duhet të theksojmë që pikërisht kjo është arsyeja që unë kam kërkuar që PDK dhe LDK t’i sjellin tre kandidatë, se bashkë me ne i kalojmë numrin prej 90 nënshkrimeve dhe e kemi të garantuar zgjedhjen e presidentit të ri. U refuzua një gjë e tillë dhe ja ku jemi.
I lutem kryetarit të PDK-së dhe LDK-së, edhe grupet e tyre parlamentare të vijnë në Kuvend, se aty e kanë vendin. Dikur kanë qenë shumicë ata, tani jo më. Por nuk mund të thuash që po e mbroj shtetin duke bllokuar procese dhe duke bojkotuar seancën. Sot është afati i fundit, nuk ishte mbrëmë. Shumica dërrmuese mendojnë se e kemi dhe sot. Ne duhej që sa më shpejt të vepronim. Por unë e di që rreth orës 21:00 i kam shkruar edhe kryetarit të PDK-së dhe të LDK-së, por nuk kam marrë përgjigje.
Mendojeni kur isha unë në opozitë të më shkruanin mua kështu kryeministrat dhe presidentët, kurrë. Unë kisha pas policinë. Ata kurrë nuk kanë pasur interes të komunikonin me mua. Tani shteti është demokratik dhe në të njëjtën kohë, nuk ka më përndjekje si dikur, keni një kryeministër që vazhdimisht kërkon takime me opozitën, dhe ata nuk pranojnë dhe nuk përgjigjen në mesazhe”, tha Kurti.
