Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj ka thënë se që nga dita kur ka marrë mandatin, prioritet ka pasur armatimin e FSK-së. Ministri ka deklaruar ditën e sotme se dronët Bayraktar është lloji më i fundit i armatimit që kanë blerë.
“Që nga dita kur kam marrë mandatin si ministër në Qeverinë Kurti -II-, prioriteti im kryesor ka qenë blerja e armatimit dhe pajisja e FSK-së me armatim modern të teknologjjsë së fundit, të cilat gjithnjë janë sipas standardeve të NATO-së. Dronat Bayraktar janë lloji më i fundit i armatimit të cilat i kemi blerë, posedimit i të cilave kam vlerësuar së është i domosdoshëm për mbrojtjen e vendit tonë.
Ky proces nuk ka qenë i lehtë, por me mbështetjen e pakursyer të Kryeministrit Kurti, të Qeverisë dhe gjithashtu mbështetje të fuqishme ndërkombëtare me të cilët do të vazhdojmë të rrugëtojmë krahë për krahë gjithmonë, kemi arritur të përmbyllim me sukses edhe këtë projekt madhështor. Megjithatë, këto nuk janë pajisjet e vetme që kemi në posedim, në jemi furnizuar e vazhdojmë të furnizohemi çdo ditë për të ngritur kapacitetet tona, projektet në vazhdim do të jenë hapa të mëdhenjtë drejt zhvillimit të forcës tonë. FSK-ja me shpirtin luftarak të trashëguar nga UÇK-ja dhe me pajisjet moderne që po i sigurojmë çdo ditë, bëhet ushtri e pathyeshme dhe garantuese e paqes”, shkruan ai.
Dronët Bayraktar, TB2, hyjnë në mesin e armëve që kanë qëndrueshmëri të gjatë në lartësi të mesme (MALE), me rekord fluturimi deri në 27 orë e 3 minuta dhe përveç sulmeve të armatosura kanë për funksione kryesore misionet e inteligjencës, vëzhgimin dhe zbulimin.