Kontejnerët me mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ndërsa për përdorimin e tyre tashmë janë trajnuar dhjetëra ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kontrata është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar me Kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani mëmë e prodhuesit Skydagger. Kryeministri Albin Kurti thotë se dronët ishte planifikuar të mbërrinin në janar 2026, por janë dërguar nga fabrika tre muaj më herët.
Këta dronë kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger, janë dronë luftarak të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut.
“Me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas TB2 Bayraktar dhe fluturakeve Puma po vazhdojmë të ngrisim dhe shtojmë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore”, shkruan kryeministri Albin Kurti.
“SKYDAGGER RTF 15” shquhet si një pajisje me performancë të lartë, e projektuar për të përmbushur nevojat e misioneve profesionale, qoftë në monitorim, shpërndarje apo përdorim të specializuar. Ky dron kombinon shpejtësinë, stabilitetin dhe kapacitetin e ngarkesës, duke ofruar një zgjidhje të besueshme për operacione të ndryshme ajrore.
Ai ofron një kohë maksimale fluturimi prej 36 minutash, duke e bërë atë të përshtatshëm për operacione të zgjatura pa ndalesa. Kur fluturon me një ngarkesë të dobishme, droni ruan performancën duke ofruar deri në 14 minuta fluturim, ndërsa rrezja maksimale e veprimit arrin deri në 10 km – një distancë e konsiderueshme për misione kërkimi, shpërndarje pajisjesh ose patrullime në distancë.
Me një shpejtësi maksimale prej 130 km/orë, “SKYDAGGER RTF 15” garanton lëvizshmëri të shpejtë dhe reagim të menjëhershëm ndaj situatave të ndryshme operative. Kjo e bën atë ideal për misione urgjente, ku koha është një faktor kritik.