Ashtu siç Gazeta Shqip njoftoi një ditë më parë, Bashkimi Europian ka hequr nga lista e vendeve të sigurta Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Vendimi u zyrtarizua nga Këshilli këtë të hënë, ndërsa ai ishte marrë që prej ditës së premte. Në këtë listë janë edhe tre vendet e tjera, SHBA, Izrael dhe Liban.

Në njoftimin zyrtar thuhet se BE ka rifresktuar listën e vendeve të sigurta duke hequr prej andej gjashtë shtetet në fjalë.

Me këtë vendim, BE u këshillon vendeve anëtare që të bllokojnë udhëtimet e cilësuara si jo të domosdoshme për udhëtarët e këtyre gjashtë vendeve, edhe për ata që mund të jenë të vaksinuar, megjithëse në njoftimin zyrtar thotë se ky vendim nuk sugjeron mospërjashtimin e tyre.

Vendimi reflekton rritje e infeksioneve të reja në Kosovë, që ditën e diel regjistroi numrin rekord të 36 viktimave në vetëm 24 orë kohë. Po ashtu, rritje të madhe të rasteve ka edhe Maqedonia e Veriut, që të hënë numëroi 32 viktima nga Covid. Mali i Zi nga ana tjetër ka shënuar mbi 1 mijë raste ditore me Covid, në një popullsi prej 700 mijë banorësh.

Sipas udhëzimit të BE-së, qytetarët e vendeve që nuk janë në listën e “vendeve të sigurta”, nuk u lejohet fare hyrja në BE përveç rasteve për nevoja profesionale apo për shkak të lidhjeve të ngushta familjare.

Nga ky kufizim përjashton emigrantët kosovarë që kanë të deklaruar një vendbanim në një vend të BE-së. Në këtë rast, udhëzimi i Brukselit nuk përjashton mundësinë që vendet anëtare të unionit të vendosin karantinën me detyrim për këtë kategori.