Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë një postim emocionues para përballjes së madhe të Kosovës me Turqinë. Në postimin e saj, e para e shtetit e ka publikuar një video që më parë ishte publikuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, ku tregohet një historik i futbollit të Kosovës.
“Kosova ka lindur mes vështirësive e sakrificave, është rritur me krenari dhe sot qëndron në fushë me dinjitet, duke përfaqësuar ëndrrat e një populli të tërë. Ju jeni simbol i qëndresës, i guximit dhe i shpresës. Jemi me ju djema. Me Kosovën përgjithmonë. Me Dardanët”, shkruan ajo në “Facebook”.
Ndeshja Kosovë – Turqi do të luhet nga ora 20:45 dhe fituesi do të shkojë në turneun final të Botërorit 2026, që mbahet këtë verë në SHBA, Kanada e Meksikë.


