Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, në Kosovë janë organizuar një sërë aktivitetesh festive dhe përkujtimore, që do të zhvillohen gjatë gjithë ditës në qytete të ndryshme të vendit.

Aktivitetet nisin në Prekaz, ku Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të zhvillojë homazhe në nderim të të rënëve. Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” do të bëjë homazhe edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Programi i festimeve përfshin gjithashtu seanca solemne, konferenca për media dhe ceremoni në nderim të personaliteteve të historisë dhe kulturës shqiptare.

Në Mitrovicë do të zhvillohet ceremonia e rivarrimit të intelektualit Adem Ademi, e shoqëruar me homazhe, ndërsa në Prizren është parashikuar përurimi i shtatores dhe sheshit që do të mbajë emrin e Shën Nënë Terezës.

Axhenda e 28 Nëntorit do të kulmojë në mbrëmje me pjesëmarrjen e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në pritjen shtetërore që do të organizohet në Tiranë, me rastin e 114-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Dita e Flamurit bashkon edhe këtë vit shqiptarët në të dyja anët e kufirit, në nderim të historisë, sakrificave dhe trashëgimisë së përbashkët kombëtare.