Në mungesë kuorumi ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, e cila në rend të ditës kishte shqyrtimin e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë. Për shkak të mospajtimeve për rendin e ditës, që nuk kishte të bënte vetëm me dorëheqjet e komunitetit serbë, por edhe formimin e komisioneve të përhershme të këtij këshilli, tre anëtarë e bojkotuan mbledhjen.

“Do të duhej të ishte pika e parë e rendit të ditës, meqenëse prej dorëheqjes së tyre janë mbajtur në sistem pa ndonjë bazë kushtetuese e ligjore”, tha Bashkim Hyseni, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“A mundet dikush këtu prej juve që kërkonit me ngulm në mbledhjen e kaluar të funksionalizohet Këshilli, pse sot s’bën të funksionalizohet këshilli?”, tha Artan Abazi, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Ahmet Imami, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës: Edhe unë i mbështesë veprimet e koleges Arjeta dhe Fidan dhe unë do të bojkotoj këtë mbledhje?

Rrustem Thaqi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës: A janë tjerët të pranishëm? A kemi kuorum? Okej përfundoi takimi.

Gjyqtarët serbë kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në vitin 2022 në kuadër të largimeve të të gjithë të punësuarve të komuniteti serbë në institucionet e Kosovës. Shqyrtimi i këtyre dorëheqjeve u rikthye në diskutim pasi ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu kërkoi nga ky institucion të marrë vendim. Të njëjtën gjë e kishte kërkuar edhe nga Këshilli Prokurorial, që ditë më parë refuzoi tërheqjet e dorëheqjeve të shtatë prokurorëve të komunitetit serb, e Haxhiu të njëjtët i liroi nga detyra. Ushtruesja e detyrës së presidentes, të premten tha se disa prej këtyrë prokurorëve e gjyqtarëve që nga viti 2017, derisa punonin në institucionet e Kosovës paguheshin nga Serbia.

Haxhiu edhe një herë kërkoi nga KGjK-ja të shqyrtojë dorëheqjet, derisa u është kundërpërgjigjur ashpër partnerëve ndërkombëtarë që kritikuan vendimin e saj për lirim nga detyra të prokurorëve serbë.

“Kush nga partnerët tanë ndërkombëtarë që sot bëjnë presion mbi këta këshilla, kush nga ta do të lejonte që në shtetet e tyre të kishte gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër?”, u shpreh Albulena Haxhiu, Ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës.

Kthimin e serbëve të dorëhequr në vitin 2022, si shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë për target nuk e sheh të mundshëm as kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili u shpreh se një veprim i tillë do të ishte në kundërshtim me kushtetutën e ligjet në fuqi.

“Kishim të drejtë politike të iu themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtetuese e ligjore të iu themi kthehuni. Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual, ndonëse i organizuar, por kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset kushtetutës e ligjit”, u shpreh Albin Kurti, kryeministër në detyrë i Kosovës.

Dorëheqjet e zyrtarëve të saj serbë, qysh në vitin 2022 i kishte pranuar vetëm Policia e Kosovës.