Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka lënë të kuptohet se partia e tij “Lëvizja Vetëvendosje” si fituese e zgjedhjeve parlamentare mund të dështojë në krijimin e Qeverisë së re, duke thënë se vendi do të shkojë në zgjedhje sërish. Duke folur në një takim me diasporën në Londër të martën, Kurti tha se po vijojnë diksutimet, pa dhënë hollësi se me cilat parti apo deputetë.
Kurti u nominua më 11 tetor nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të tentuar ta formojë Qeverinë e re dhe, sipas ligjeve të Kosovës, ai ka 15 ditë afat për ta bërë këtë, që nënkupton se atij i ka mbetur kohë vetëm deri më 26 tetor.
“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, theksoi Kurti të martën.
Partia e Kurtit gjendet nën trysni të madhe për ta fituar mbështetjen e nevojshme në Kuvend, pasi zgjedhjet e 9 shkurtit e lanë larg shumicës së nevojshme për të qeverisur e vetme. Opsionet janë të kufizuara: Vetëvendosje ka përjashtuar bisedimet me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhje, ndërsa ka lënë të hapur derën për një bashkëpunim të mundshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Nëse Kurti dështon ta formojë Qeverinë e re deri të dielën e 26 tetorit, atëherë presidentja Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare. Osmani tha të hënën se ka ende kohë për të arritur këtë qëllim, duke kritikuar njëkohësisht Listën Serbe për, siç theksoi, krijimin e pengesave.
Lista Serbe, partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë, dorëzoi javën e kaluar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiç, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës dhe të rregulloreve të brendshme.
Ankesa u paraqit më pak se një javë pas konstituimit të Kuvendit, një proces që zgjati pothuajse gjashtë muaj. Ekspertët paralajmërojnë se, në varësi të vendimit të Kushtetueses, procesi mund të rifillojë nga zeroja dhe Kuvendi të mos konsiderohet i konstituuar.