Tensionet në veri të Kosovës vijojnë të mbeten të larta, ku ditët e fundit ka pasur bllokime rrugësh, shpërthime dhe sulme ndaj policisë.

Lidhur me situatën ka reaguar edhe ish-ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt. Përmes një postimi në Twitter, Bildt ka thënë se situata mund të tensionohet edhe më tej në ditët në vijim, pasi Kosova ka paralajmëruar se do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kriza po shpërthen sërish në veri të Kosovës. Gjërat gjithashtu do të nxehen pasi Kosova synon të dorëzojë aplikimin në Bashkimin Evropian në ditët në vijim”, shkroi Bildt.

Diplomati suedez më tej shtoi se duhet të respektohen marrëveshjet e arritura më parë.

“Por, përpara se ai aplikim të lëvizë kudo, ka marrëveshje që duhen respektuar dhe duhet të ndërmerren hapa të vështirë”, shtoi ai.

Tensionet në veri të vendit janë rritur që nga 6 dhjetori, kur u sulmuan zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në veri të Mitrovicës dhe Zubin Potok.

Që nga ajo ditë e deri më sot, në komunat me shumicë serbe ka pasur vazhdimisht të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave dhe bombave.

Si pasojë e këtyre incidenteve një zyrtar i Policisë së Kosovës u plagos lehtë gjatë një sulmi në Zveçan më 8 dhjetor.

Grupet kriminale serbe në veri, sulmuan me armë zjarri e bomba molotov Policinë e Kosovës. Ata hodhën lëndë shpërthyese edhe ndaj gazetarëve e vëzhguesve të EULEX-it.