Punëtorët e transportit publik “trafiku urban” dhe sektorit privat, kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë deri kur të alokohen fondet nga Komuna e Prishtinës.

Ata kanë protestuar edhe këtë të hënë para objektit të Komunës së Prishtinës, duke e bllokuar edhe trafikun me autobusët.

Kryetari i shoqatës së trafikut urban, Ilmi Gashi tha se po presin nga Ministria e Financave, për ti kaluar paratë Komunës së Prishtinës.

“Po presim nga ministria për ta kthyer atë vendim me pozitivitet për ne gjë që i alokon mjetet. Të bëjë bartjen komunë e komuna të bëjë bartjen nëpër sektorët tonë dhe në sektorët privat të tjera. Deri në ato momente që nuk alokojnë mjete për t’i shlyer borxhet, tani komuna i detyrohet trafikut urban 2.4 milionë borxh”, u shpreh kryetari i Shoqatës së trafikut urban, Ilmi Gashi.

Ndërsa, kryetari i shoqatës se transportit publik-privat, Izet Smajli bëri të ditur se për pagën e shtatorit i kanë lëvruar paratë dhe tani kanë mbetur edhe pesë paga, që nuk janë paguar.

“Ne si kompani private që gjashtë muaj që nuk kemi marrë paga, për muajin shtator i kanë paguar edhe pesë muaj nuk i kanë paguar. Komuna na ka pasur borxh 2 milionë e 700 mijë, pasi ka paguar muajin shtator edhe 2 milionë, një milion e 50 mijë i kemi paga, një milion e 350 mijë i kemi borxhe ndaj pikave ku furnizohemi me derivate. Nuk mundemi me ia fillu punës pa i aluku paret”, tha kryetari i Shoqatës së Transportit Publik-privat, Izet Smajli.

Të enjten, më 27 nëntor është mbajtur një seancë e jashtëzakonshme në kuvendin komunal të Prishtinës, ku u votua fondi në vlerë 28 milionë euro. Tani pritet që Ministria e Financave t’i alokoj pjesën tjetër të parave nga thesari I shtetit.

Prishtina ka qenë pa transport publik që nga 24 nëntori.