Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar vrasjen e Arlinda Zekajt, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rastit dhe hetimin e përgjegjësive të mundshme institucionale. Gjatë një seance të jashtëzakonshme në Kuvend, Kurti mbështeti krijimin e një komisioni parlamentar hetimor dhe propozoi dy masa urgjente.

Ai tha se këto masa duhet të ndërmerren brenda 72 orësh nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë. Kurti kërkoi rishikimin e të gjitha rasteve aktive me rrezik të lartë, dokumentimin e masave të sigurisë dhe verifikimin e zbatimit të urdhrave mbrojtës.

Kryeministri i Kosovës theksoi se dhuna ndaj grave lidhet edhe me mendësinë patriarkale dhe neglizhencën institucionale, duke kërkuar që përgjegjësia të shtrihet te të gjitha hallkat e sistemit që mund të kenë dështuar në mbrojtjen e viktimës.

Albin Kurti: Edhe unë i bashkangjitem kësaj iniciative dhe propozoj dy ndërhyrje konkrete – të ngarkoj Ministrinë e Punëve të Brendshme që përmes strukturave kompetente të Policisë të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë. Për secilin rast të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për ndjekjen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse, qendrore dhe lokale përfshirë zbatimin policor të udhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike.

Gjithashtu brenda 72 orëve, Ministria e Drejtësisë të vijë me një raport të detajuar që zbardh gjithë reagimin apo mosreagimin e secilës hallkë të zingjirit institucional në këtë rast.Dukuria e vrasjes së grave është pasojë e mendësisë së patriarkalizmit që fatkeqësisht nuk i përjashton as institucionet, ku ushqen neglizhencën dhe mosveprimin përballë dhunës ndaj grave. Kjo është arsyeja pse kur të hetojmë duhet t’i hetojmë edhe hetuesit, kur të presim prej prokurorëve do të na duhet t’i akuzojmë edhe ata, e kur kemi të bëjmë me gjykatësit do të na duhet të mendojmë edhe kush do t’i gjykojë ata.

Sivjet janë vrarë tetë gra, na duhet një debat publik për mënyrën se si shoqëria dhe shteti i trajton gratë që kërkojnë shkurorëzim, pavarësi dhe të drejtën e tyre në pronë e trashëgimi. Për bindjen time të fuqishme ky është thelbi. Ne e kemi një raport të vështirë me shkurorëzimin dhe barazinë gjinore kur vije puna tek trashëgimia dhe pronësia. Duhet të flasim për mënyrën se si kërkesat legjitime të grave për të drejtat e tyre shndërrohen në burim konflikti. Si normalizohet kontrolli mbi jetën dhe vendimet e tyre dhe si në vend që të mbështeten, ato shpesh lihen të përballen të vetme me dhunën dhe institucionet që dështojnë t’i mbrojnë.