Kriza politike në Kosovë dhe tensionet e krijuara rreth konstituimit të Kuvendit janë shoqëruar edhe me momente të debatueshme brenda ambienteve të institucionit.
Gjatë vizitës së mërgimtarëve në Kuvend, një qytetar ka shfaqur një pankartë me mbishkrimin “Kurti n’burg”, duke shprehur kështu qëndrimin e tij kundër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Pankarta është bërë menjëherë objekt diskutimi në rrjetet sociale.
Sipas raportimeve, pankarta nuk qëndroi gjatë në duart e qytetarit, pasi një tjetër mërgimtar ia mori atë. Episodi ndodhi në një ditë të tensionuar në Kuvend, ku deputetë të PDK-së dhe AAK-së kanë kërkuar vijimin e seancës për konstituimin e institucioneve, ndërsa situata është shoqëruar edhe me përplasje mes deputetëve.
Mbishkrimi “Kurti n’burg” ka sjellë në vëmendje edhe sloganet e përdorura në protestat politike në Shqipëri, ku gjatë tubimeve në Tiranë janë dëgjuar thirrje kundër figurave politike, përfshirë formulimin “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Ngjarja në Kosovë është komentuar gjerësisht në rrjetet sociale, duke u bërë një tjetër episod i pazakontë në sfondin e krizës politike që po shoqëron vendin.
