Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar gjenocidin e kryer 28 vite më parë në Srebrenicë. Në një postim në ‘Twitter’, kreu i qeverisë së Kosovës shkruan se Serbia vazhdon të mohojë këtë krim çnjerëzor.
“Dita e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës mban në vetvete shumë tragjedi të patreguara – një ditë kur kujtojmë vrasjen e 8,372 njerëzve të pafajshëm dhe krimet e panumërta të përdhunimeve dhe torturave. Është gjithashtu një kujtesë se e vërteta e tyre nuk nderohet por mohohet nga Serbia, një krim çnjerëzor në vetvete”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Srebrenica’s Genocide Remembrance Day holds in itself many unspeakable tragedies—a day when we remember the murder of 8,372 innocent people & countless crimes of rape & torture. It is also a reminder that their truth is not honored but denied by Serbia, itself an inhuman crime. pic.twitter.com/9PlYwNJpI4
— Albin Kurti (@albinkurti) July 11, 2023
Bosnja e Hercegovina sot shënon 28-vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.