Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me raportimet për mungesë uniformash dhe pajisjesh për efektivët e Policisë së Kosovës, në një ditë kur mbi 300 kadetë të rinj pritet t’i bashkohen këtij institucioni.
I pyetur nga gazetarët për situatën e furnizimit, Kurti ia ka kaluar përgjegjësinë për informacionet Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke theksuar se kjo ministri mund të japë sqarimet përkatëse mbi procesin.
Megjithatë, kreu i qeverisë u ndal te rritja e buxhetit për Policinë e Kosovës, duke pretenduar se asnjëherë më parë institucionet nuk kanë treguar kaq shumë kujdes për këtë strukturë, ushtrinë dhe uniformat e tyre.
“Buxheti për Policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht dhe kurrë nuk ka pasur më shumë kujdes shtetëror e qeveritar për policinë, ushtrinë, oficerin dhe uniformën sikurse tani”, deklaroi Kurti.
Ndërkohë, ai e cilësoi një arritje të re shtimin e mbi 300 kadetëve në radhët e policisë, duke bërë të ditur se rreth 30% e tyre janë gra.
Ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës është planifikuar të zhvillohet pasditen e së premtes.
