“Zgjedhje” është kryefjala e zhvillimeve në Kosovë.

Dy ditë përpara skadimit të afateve për të prezantuar qeverinë e re, për të cilën Albin Kurti dukshëm nuk i ka numrat, janë përcaktuar edhe datat për fushatën për raundin e dytë të lokale të 9 nëntorit.

Kandidatët e 18 komunave, që kanë mbetur ende pa u zgjedhur kanë afat nga 3 nëntori deri në orën 06.59 të datës së zgjedhjeve për të bindur elektoratin.

Në të gjithë këtë proces, përpos shfaqjes së Kosovës si një vend pa stabilitet politik, dëmi në xhepat e qytetarëve është i konsiderueshëm, mqs për ta është menduar më së paku në tetë muajt e fundit.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke thënë se Kosova mbijeton falë remitancave, edhe pse nga Londra Kurti u përpoq ta shfaqte vendin si prej shteve me rritjen me të madhe ekonomike në rajon.

Nga krahu tjetër, para për fushata ka gjithmonë…

Gati katër milionë euro u shpenzuan nga 28 subjekte politike gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës.

Vetëm pesë partitë kryesore – Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës/Nisma dhe Lista Serbe – shpenzuan rreth 3.6 milionë euro, sipas të dhënave që publikoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Një pikëpyetje e madhe është edhe ajo e buxhetit shtetëror për vitin e ardhshëm, i cili, sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, pritet të jetë rreth 3.5 miliardë euro.
Buxheti është baza materiale e funksionimit të shtetit dhe për të arritur deri aty, duhet të kalojë nëpër disa faza, që të mund të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

Në kushte ideale, Qeveria i kryen të gjitha përgatitjet dhe, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, datë të fundit për miratim të buxhetit ka 30 tetorin.