Bekim Sejdiu është emri i dakordësuar në kuadër të diskutimeve politike për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

Sipas disa raportimeve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, janë pajtuar në parim që ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, të jetë kandidat për president.

Por kush është Bekim Sejdiu, emri që po përflitet për pozitën e presidentit?

Bekim Sejdiu, i lindur në vitin 1974, ka një karrierë të gjatë në drejtësi, diplomaci dhe akademi. Ai ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga prilli i vitit 2015 deri në vitin 2021, kur dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Gjatë mandatit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu ka qenë gjyqtar raportues në disa raste me rëndësi politike, përfshirë edhe vendimin e vitit 2020 që çoi në rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit.

Para emërimit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu ka shërbyer në diplomaci. Ai ka qenë ambasador i Kosovës në Turqi nga viti 2008 deri më 2012, ndërsa më pas ka shërbyer si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork nga viti 2012 deri më 2014.

Para emërimit si ambasador, Sejdiu ka qenë këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Ai është gjithashtu profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron që nga viti 2002.

Studimet juridike i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka kryer edhe studime pasuniversitare në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Ka doktoruar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike.

Çështja e zgjedhjes së presidentit është e hapur që nga prilli i vitit 2026, kur përfundoi mandati i ish-presidentes Vjosa Osmani. Që nga ajo kohë, detyrën e ushtrueses së presidentes e mban Albulena Haxhiu.

Për zgjedhjen e presidentit në Kuvend kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë. Në dy rundet e para të votimit, kandidati duhet të marrë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, përkatësisht 80 vota.

Në rundin e tretë, presidenti zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, pra me së paku 61 vota.