jykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë një vendim të rëndësishëm me masë të përkohshme, duke pezulluar çdo veprim të mëtejshëm nga deputetët e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe.

Vendimi hyn në fuqi më 5 shtator 2025 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2025.

Në qendër të çështjes është procesi i votimit të nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet joshumicë, për të cilin Lista Serbe ka pretenduar se është në shkelje të Kushtetutës. Sipas saj, Kuvendi është shpallur i konstituuar pa zgjedhjen e përfaqësuesit serb, një element i domosdoshëm sipas normave kushtetuese për përfaqësimin e komuniteteve pakicë.

Në një deklaratë zyrtare, Gjykata Kushtetuese sqaroi se:

“Pretendimet e ngritura kanë natyrë kushtetuese dhe kërkojnë shqyrtim të plotë. Prandaj, për të mbrojtur rendin kushtetues dhe demokratik të Republikës së Kosovës, vendoset masa e përkohshme e pezullimit të veprimeve institucionale deri në një vendim përfundimtar.”

Kjo nënkupton se për momentin Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të procedojë me propozimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë, siç ishte planifikuar.

Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, ishte kritikuar nga Lista Serbe për shpalljen e konstituimit të Kuvendit pa zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb, një akt që tani do të shqyrtohet në mënyrë të detajuar nga Kushtetuesja.