Lëvizjes Vetëvendosje i është kërkuar thirrja e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës edhe këtë të premte.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, në shenjë simbolike, të ulur në vendet e tyre brenda sallës së Kuvendit kërkuan të vazhdojnë punën e tyre.

Ndonëse pa caktim zyrtar të një seance, ata shfrytëzuan foltoren dhe thanë se partia e parë qëllimisht po e zvarritë formimin e institucioneve.

“Lëvizja Vetëvendosje, z. Kurti, znj. Haxhiu, z. Dehari e kanë kaluar një kufi që nuk është dashur të kalojnë kurrë. Ata qëllimisht e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e kuvendi dhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Bedri Hamza-kryetar i PDK.

“Askush nuk ia konteston që kanë të drejtë të zgjedhin kryetarin e Kuvendit, askush nuk po ia konteston që kanë të drejtë ta bëjnë qeverinë, është vetëm një njeri që po e konteston këtë. Është vetë z. Kurti”, u shpreh Burim Ramadani-deputet, Aleanca.

Lëvizja Vetëvendosje ka 61 votat për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, por nuk e bën një gjë të tillë, pasi kryetari i saj, Albin Kurti kërkon kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.

Lidhur me këtë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza thotë se pas tërheqjes së LDK-së nga kërkesat për poste shtetërore, këto dy parti mund të formojnë institucionet.

“Ne po thojmë ejani, në përputhje me rezultatin zgjedhor t’i japim vendit institucionet. Bëje kryetarin e kuvendit, bëje qeverinë, zgjidheni presidentin, dhe tash pas qëndrimit të fundit të LDK-së, rruga është e hapur, i kanë numrat”, u shpreh Hamza.

Albin Kurti, u ka nisur ftesa krerët të partive opozitare për diskutime për zgjedhjen e një presidenti konsensual.

“Unë mbrëmë iu kam shkruar të tre kryetarëve të partive, i kam shkruar edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini edhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, që sa më parë të takohemi dhe të merremi vesh për presidentin”, deklaroi Kurti.

Vazhdimi i fundit të seancës konstituive u mbajt një javë më parë, por u ndërpre pasi Albin Kurti refuzoi të propozojë emrin e kandidatit për kryetar të kuvendit, duke kërkuar kohë shtesë për marrëveshje.

Ndërkohë, afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar mesnatën e 7 gushtit.