I dëguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar këtë të premte në Bruksel kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, me të cilin kanë biseduar për situatën në veri të Kosovës.

Pas takimit, Lajçak ka deklaruar se me Krasniqin janë pajtuar për nevojnë për de-eskalim dhe rikthim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja pa vonesa.

“Pata një shkëmbim të dobishëm pikëpamjesh me kreun e PDK-së, Memli Krasniqin për gjendjen aktuale në veri të Kosovës. Ne ramë dakord për nevojën për uljen e tensioneve në veri dhe për rikthim në Dialog pa vonesë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Për takimin më herët ka njoftuar edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se partia e tij do të angazhohet fuqishëm në shtensionimin dhe kthimin në normalitet në komunat në pjesën veriore të vendit.