Bleona Tafallari, vajza 19-vjeçare nga Kosova, e njohur me nofkën “Luanesha e ISIS-it” është kërkuar që të dalë sa më shpejt përpara gjykatësve italianë, ndërsa akuzohet si pjesëmarrëse në një celulë radikale të shtetit islamik.

Ajo u arrestua më 17 nëntor të vitit të kaluar. Sipas prokurorisë, vajza kishte përqafuar radikalizmin xhihadist që në moshë të vogël kur ishte martuar me një muxhahedin kosovar 21-vjeçar. Ajo ishte akomoduar në mesin e të miturve të shtetit islamik, pa fshehur ambicie për të shkuar dhe për të luftuar kundër “armikut perëndimor”.

Ajo ishte një mbështetëse e përkushtuar e ISIS-it për të paktën tre vjet dhe ishte së bashku me të shoqin pjesë e grupit të quajtur ‘Luanët e Ballkanit’. Përveç kësaj, biseda të zbuluara nga autoritetet nxorën në pah se ajo kishte lidhje dhe me sulmuesin e Vjenës, Kujtim Fejzullai.

Në pyetjen para gjyqtarit hetues e më pas edhe prokurorëve, e reja mbrohej gjithmonë duke shpjeguar se nuk kishte bërë asnjëherë propagandë, se nuk e kishte menduar asnjëherë “të bëhej dëshmore, as të shkonte për të luftuar”.