Ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan Jamie Rubin ka treguar detaje nga takimi i tij me Hashim Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë për Kosovën.

Në një rrëfim, Rubin kujton se ishte pikërisht Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Madeleine Albright, që e inkurajoi të krijonte një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Thaçin, i cili udhëhiqte delegacionin e shqiptarëve të Kosovës në bisedimet vendimtare për paqen.

“Ne donim të dinim më shumë për udhëheqësin e delegacionit. Ajo më tha: ‘Njihu me të. Ndihmoje që të arrijë në vendimin e duhur’. Dhe kështu bëra”, tha Rubin. Ai kujton se e kishte njohur Thaçin përmes televizionit, por gjatë ditëve të bisedimeve, përpiqej të kalonte sa më shumë kohë me të duke ecur bashkë nëpër korridoret e ndërtesës, e duke diskutuar mbi çështje të ndjeshme dhe të rëndësishme për fatin e rajonit.

Në atë kohë, sipas Rubin, Thaçi nuk fliste anglisht, çka e bënte komunikimin më sfidues. Gjuha e trupit, përkthyesit diplomatikë dhe përkushtimi për të kuptuar njëri-tjetrin ishin mjetet kryesore në ndërveprimin mes tyre. Ish-zyrtari amerikan tregoi se në atë periudhë kishte një kontratë me Qeverinë e Kosovës për të ndihmuar përfaqësimin ndërkombëtar të përpjekjeve për paqe.

“Unë isha shumë i gëzuar që ta shoh,” tha ai, duke kujtuar momentin e parë të takimit me Thaçin. “Pikërisht këtë synova në punën time me të t’i jepnim fund konfliktit, të sillnim paqe e stabilitet në rajon dhe të arrihej njohja e Kosovës dhe e Serbisë si dy shtete të pavarura, që jetojnë në paqe dhe siguri,” u shpreh Rubin.

Ai e përshkroi këtë përpjekje si një mision të përbashkët për t’i dhënë fund një historie të dhimbshme për të dy popujt. “Ky do të ishte një përfundim i bukur i një historie mjaft të dhimbshme,” përfundoi Rubin, duke nënvizuar rëndësinë historike të momenteve të Rambujesë dhe rolin që luajtën figurat kryesore të asaj kohe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme për Ballkanin.