Në mesnatën e sotme përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ndaloi deputetët e legjislaturës së nëntë të ndërmarrin çfarëdo veprimi drejt konstituimit të Kuvendit. 

Kjo masë u vendos pas dështimit të deputetëve për të respektuar afatin 30-ditor të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës më 26 qershor. 

Në pritje të skadimit të kësaj mase, vendi është në pritje të një aktgjykimi të ri nga Kushtetuesja, i cili pritet të publikohet gjatë ditës së sotme. 

Ky vendim pritet të jetë thelbësor për të qartësuar rrugën drejt konstituimit të Kuvendit të Kosovës, proces ky i bllokuar tashmë për muaj të tërë. 

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka theksuar se partia e tij do ta respektojë vendimin e ri të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht përmbajtjes së tij.

“Do të na njoftojnë se çfarë kanë vendosur të ndodhë pas këtyre 30 ditëve. Nuk e dimë ende cila do të jetë zgjidhja, por ne kemi deklaruar se do ta respektojmë aktgjykimin. Është një dëm i madh që Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend”, kishte deklaruar Kurti. 

Situata aktuale është pasojë e një krize të thellë institucionale që ka përfshirë vendin, më shumë se pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. 

Që nga seanca e parë e Kuvendit më 15 prill, janë bërë plot 54 përpjekje për ta konstituuar atë, por të gjitha kanë dështuar. 

Një ditë pas vendosjes së masës së përkohshme nga Kushtetuesja, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tërhoqi kërkesën e saj të paraqitur në korrik, e cila kërkonte sqarim lidhur me pasojat nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit ligjor. Ajo arsyetoi këtë tërheqje me faktin se gjyqtari serb Radomir Llaban ishte caktuar si raportues i çështjes, duke e cilësuar këtë përzgjedhje si “të rrezikshme për rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit”. 

Gjykata Kushtetuese vendosi masën e përkohshme ndërsa po shqyrton dy kërkesa të ndara të dorëzuara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). 

PDK i është drejtuar Gjykatës në fillim të korrikut, duke kundërshtuar mënyrën e propozuar nga LVV për krijimin e Komisionit për votim të fshehtë, si dhe ndërprerjen e seancës konstituive pas mosmiratimit të këtij komisioni. 

Ndërkohë, LDK ka kërkuar interpretim kushtetues lidhur me vazhdimin e seancës pas datës 29 qershor, duke e cilësuar atë në kundërshtim me aktgjykimin e 26 qershorit dhe me Kushtetutën e Kosovës. /Telegrafi/