Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 35 personave për krime lufte të kryera në Prekaz në mars të vitit 1998. Aktakuza është ngritur në mungesë, pasi personat e akuzuar nuk ndodhen para drejtësisë në Kosovë.

Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë mbajtur poste të larta komanduese në njësitë speciale të policisë serbe dhe akuzohen për përfshirjen në sulmin ndaj lagjes së familjes Jashari në Prekaz.

Prokurori Valdet Gashi tha se, bazuar në provat e mbledhura, gjatë sulmeve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 u vranë 26 civilë, mes tyre fëmijë, gra dhe të moshuar.

Prokuroria thotë se hetimet kanë përcaktuar njësitë serbe që morën pjesë në sulm, vendet nga ku u kryen sulmet, rolin e secilit prej të akuzuarve, si dhe armët e përdorura.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e cilësoi aktakuzën si një hap të rëndësishëm në trajtimin e krimeve të luftës dhe në kërkimin e përgjegjësisë penale, pavarësisht viteve që kanë kaluar nga ngjarja.