Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tha se vetëm gjatë javës së fundit në Kosovë janë regjistruar 25 raste të reja me fruth. Sipas IKSHPK-së, nga 16 prilli deri më 17 gusht, në Kosovë janë konfirmuar 137 raste me fruth. Për krahasim, në periudhën 2021-2024, ishin regjistruar vetëm tre raste me fruth, të gjitha të importuara.

Sipas të dhënave të këtij instituti, më së shumti raste janë regjistruar në Prishtinë, përkatësisht 47, teksa IKSHPK se ka intensifikuar aktivitetin për vaksinim në komunat me numrin më të lartë të rasteve, duke vaksinuar 276 fëmijë që nuk kishin marrë me kohë, sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, vaksinën MMR.

“IKSHPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore”, thuhet në njoftim, ku shtohet se vaksinimi është mënyra më efektive për parandalimin e sëmundjes.

Fruthi është ndër sëmundjet më ngjitëse dhe transmetohet përmes ajrit. Epidemiologia e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Edita Goranci, në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë deklaroi se rikthimi i sëmundjes në Kosovë lidhet drejtpërdrejt me rënien e e vaksinimit të fëmijëve me vaksinën MMR.

“Kur e kishim mbulueshmërinë mbi 95 për qind me vaksinën kundër fruthit, situata epidemiologjike ishte e qetë. Rastet paraqiten pikërisht ku ka fëmijë të pavaksinuar“, tha Goranci.

Epidemiologia Goranci tha se doza e parë e vaksinës kundër fruthit mrbon në 93 për qind të rasteve, ndërkaq e dyta në 97 për qind.

“Është një ndër vaksinat më të sigurta“, theksoi ajo.

Sipas saj, një fëmijë i infektuar infekton rreth 90 për qind të kontakteve që nuk janë të vaksinuara.

“Virusi përhapet gjatë të folurit, kollitjes apo teshtitjes, dhe mund të qëndrojë deri në dy orë në ajër dhe në sipërfaqe“, shpjegoi Goranci.

Temperatura, ethet, rrjedhja e hundëve, skuqja e syve dhe dhimbja e fytit janë simptomat e para të fruthit, sipas saj. Kjo sëmundje është vdekjeprurëse. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 95 mijë njerëz kanë vdekur nga fruthi gjatë vitit 2024, shumica fëmijë nën moshën pesëvjeçare, megjithëse e kishin pasur një vaksinë në dispozicion./ REL