Adnan Dibrani, deputeti shqiptar në Suedi që është shpallur hero në Malin e Zi ka treguar se si e shpëtoi foshnjen që po mbytej. Në një rrëfim për ‘Shqipëria Live’, Dibrani thotë se kishte parë foshnjen mbi ujë dhe kishte nxituar ta nxirrte që ta shpëtonte, duke mos e patur të qartë se bëhej fjalë për një fëmijë. Ai tha se fillimisht kishte menduar se ishte një kukull.
“Po e mbante sipër uji. Nuk e di çfarë kam bërë, nuk e di si, por fëmija ka shpëtuar, kur doli uji nga organet atëherë hapi sytë. Shkova shpejt për tek ambulanca, për ne na u duk koha e një jete, janë minuta, kur e kam parë atë gruan, një minutë kemi parë çfarë po bëhej, ka bebe apo kukull. Kur ka nisur të jepte zë, doja vetëm t’i jepja oksigjen, në atë moment nuk kam menduar asgjë. Kam folur me qeverinë në Mal të Zi, me kreun e parlamentit, ende nuk kam komunikuar me prindërit, më kanë treguar se si është puna. Është djalë, ka dy muaj, deri tani po shpresojnë që mos të ketë marrë lëndime,”- tha Dibrani.
Dibrani është deputet në Suedi. Ai kishte udhëtuar drejt Podgoricës si pjesë e misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ditën e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi.