Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, ka bërë sërish deklarata kundër Kosovës, duke përsëritur pretendime që përputhen me narrativën zyrtare të Beogradit për zhvillimet në vend.
Në një intervistë për televizionin serb “Informer”, Paunoviq deklaroi se ndalimi i hyrjes së saj në Kosovë po përdoret nga institucionet e Kosovës për qëllime politike dhe elektorale.
Ajo akuzoi kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për veprime ndaj komunitetit serb, duke pretenduar se janë arrestuar persona për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe se janë penguar vizitat në Gazimestan.
Ministrja serbe pretendoi gjithashtu se serbët që refuzojnë të shesin pronat e tyre në Kosovë janë akuzuar për krime lufte, ndërsa përsëriti edhe pretendimin për një “eksod të vazhdueshëm” të serbëve nga Kosova.
Paunoviq u përpoq të relativizonte edhe deklaratat e saj të mëparshme për spastrimin etnik, duke thënë se ato ishin nxjerrë jashtë kontekstit dhe se kishte folur nga këndvështrimi i një serbeje të dëbuar.
Deklaratat e saj kanë nxitur reagime në Kosovë, ku janë cilësuar si pjesë e narrativës së Beogradit që, sipas kritikëve, shtrembëron faktet historike të luftës së viteve 1998–1999.
Raportet e organizatave ndërkombëtare kanë dokumentuar dëbimet masive, vrasjet dhe krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë luftës, përfshirë dëbimin me forcë të qindra mijëra shqiptarëve nga shtëpitë e tyre.
