Një arsenal i madh armësh është zbuluar nga Policia e Kosovës gjatë operacioneve të zhvilluara në veri të vendit. Bëhet fjalë për 72 armë, mes tyre 2 mitralozë, 11 automatikë AK-47, 27 pushkë gjuetie, një pushkë ajrore, 7 granata dore, mijëra fishekë, mjete shpërthyese dhe piroteknike, si edhe uniforma ushtarake serbe. Armatimi u ekspozua këtë të enjte në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se autoritetet ranë në gjurmë të arsenalit gjatë operacioneve në disa lokacione në veri dhe se hetimet po vazhdojnë për të identifikuar personat që e posedonin dhe qëllimin për të cilin ishte fshehur. Sipas ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, armatimi u gjet në fshatrat përreth Kalludrës, në Zubin Potok, një zonë që ka qenë në qendër të vëmendjes edhe javët e fundit. Ai kujtoi se pikërisht aty janë zbuluar tri varreza masive, ku janë gjetur mbetje mortore të 23 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Ky arsenal armësh, municioni e pajisjesh është gjetur në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, një zonë tashmë e njohur për të gjithë ne. Pikërisht aty ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive, në të cilat janë gjetur mbetje mortore të 23 personave”, ka deklaruar Sveçla.