Një valë moti të keq ka përfshirë disa vende të rajonit, duke sjellë stuhi të forta, erëra me intensitet të lartë dhe reshje të dendura, të cilat kanë shkaktuar dëme në infrastrukturë, ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme në qarkullimin rrugor.

Goditjen më të madhe e ka pësuar Shkupi, ku mbrëmjen e së martës një stuhi e fuqishme përfshiu kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Erërat e forta rrëzuan pemë dhe semaforë në disa zona të qytetit, ndërsa dëmtuan edhe çatitë e banesave, disa prej të cilave u shkëputën plotësisht nga forca e erës.

Si pasojë, në disa akse rrugore u krijuan vështirësi në qarkullim për shkak të pemëve të rrëzuara, ndërsa një pjesë e lagjeve mbetën përkohësisht pa energji elektrike.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se strukturat e emergjencës janë angazhuar menjëherë për përballimin e situatës. Sipas tij, Qendra e Menaxhimit të Krizave, në bashkëpunim me ndërmarrjet publike dhe institucionet përgjegjëse, po punon për largimin e pasojave dhe rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.

Ndërkohë, moti ekstrem është shtrirë edhe në Kosovë. Në komunën e Suharekës, veçanërisht në fshatin Vrasniq, stuhia ka shkaktuar dëme në banesa, biznese dhe prona të tjera private.

Shtrëngatat kanë rrëzuar pemë në disa pika të zonës, ndërsa banorët raportojnë se era e fortë ka dëmtuar edhe koshere bletësh, duke sjellë humbje për bletarët vendas.

Pamjet e publikuara nga zona tregojnë gjithashtu ujëra të errëta në lumin që përshkon fshatin, çka ka ngritur shqetësime për ndotje të mundshme dhe shkarkim mbetjesh në rrjedhën e tij.

Deri në këto momente autoritetet nuk kanë raportuar për viktima apo persona të lënduar si pasojë e stuhive. Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë të jenë në terren për evidentimin e dëmeve dhe ndërhyrjet e nevojshme për normalizimin e situatës.