NATO ka rikonfirmuar se angazhiimi për sigurinë në Kosovë mbetet “i palëkundur”, duke theksuar se misioni paqeruajtës i saj, KFOR është i gatshëm t’iu përgjigjet “një sërë skenarësh të sigurisë”. Pas takimit të komandantit të KFOR-it, Ozgan Ulutash me Këshillin e Atlantikut të Veriut, aleanca tha se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për të.
“Angazhimi i aleancës për të mbështetur sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal mbetet i palëkundur”, tha NATO-ja.
Aleanca ushtarake perëndimore tha se Ulutash njoftoi Këshillin për përpjekjet e KFOR-it.
“Ai ndau gjithashtu pikëpamjet e tij për përpjekjet e vazhdueshme për të optimizuar dislokimin e KFOR-it, proces që vjen si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në Kosovë. Procesi i optimizimit synon të sigurojë që misioni të mbetet i aftë për përmbushjen e detyrës. Ai bazohet në kushtet në terren, po zbatohet gradualisht dhe do të jetë plotësisht i kthyeshëm, nëse zhvillimet përkatëse të sigurisë e kërkojnë një gjë të tillë”, u tha në njoftimin e aleancës ushtarake perëndimore.
Për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në terren, më herët NATO-ja ka njoftuar se do të zvogëlojë praninë e saj në Kosovë, por ka paralajmëruar se vendimi mund të zhbëhet, varësisht nga situata e sigurisë.
Të martën, NATO tha se KFOR-i do të vazhdojë të ketë numrin e duhur të personelit, pajisjeve, trajnimeve dhe organizimit për të zbatuar “mandatin dhe do të ruajë kapacitetet, gatishmërinë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për t’iu përgjigjur një sërë skenarësh të sigurisë”.
“NATO-ja vazhdon gjithashtu të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve”, tha NATO-ja.
Njoftimi vjen një ditë pasi shefi i NATO-s, Mark Rutte, po ashtu deklaroi në Bruksel se përkushtimi i aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar.
Sipas Ruttes, KFOR-i është në aty, në Kosovë, për të siguruar që NATO-ja të kontribuojë në stabilitet dhe paqe, ndërsa misioni paqeruajtës i aleancës, sipas tij, ka kontribuar për më shumë se dy dekada në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.
“Kjo vlen edhe sot, pavarësisht se çfarë lajmesh mund të vijnë këtë javë ose në periudhën e ardhshme, por edhe sa i përket zotimit afatgjatë për paqe dhe siguri në Kosovë”, tha Rutte më 14 shtator kur u pyet nga gazetarët nëse është i shqetësuar për trazira të dhunshme të mundshme në Kosovë dhe rajon si rezultat i vendimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pavarësisht se si do të jetë ai.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 16 shtator aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm për dhjetë pikat e aktakuzës.
Në prag të shpalljes së aktgjykimit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës kanë këshilluar shtetasit e tyre në Kosovë që të shmangin lëvizjet më 16 shtator, duke argumentuar se ka paralajmërime për tubime dhe demonstrata të mundshme./REL
