Ndikimi i rrjeteve sociale gjatë fushatave zgjedhore po rritet gjithnjë e më shumë.
Rrjeti social TikTok ka luajtur rol të rëndësishëm në formësimin e narrativëve politikë gjatë zgjedhjeve parlamentare në Kosovë – të mbajtura më 9 shkurt – veçanërisht duke pasur parasysh se kjo është platforma më e përdorur në vend.
Sipas vlerësimeve të bëra nga organizata joqeveritare me seli në Bruksel, Iniciativa për Media të Lira në Ballkan dhe kompania bullgare për vëzhgim të medias, Sensika Technologies, platforma kineze Tik Tok gjatë zgjedhjeve të fundit në Kosovë por edhe në Rumani dhe Bullgari ka “ndihmuar” në manipulimin e votuesve.
Metoda e manipulimit përfshin taktikën “Fire Hose” të postimeve dhe komenteve masive, sinkronizimin dhe përsëritjen e postimeve sipas raportit.
“Llogaritë zyrtare të partive dhe liderëve janë në të vërtetë kanalet kryesore të narrativëve online, të cilët më pas amplifikohen përmes rrjeteve joautentike ose nga influencerë dhe mbështetës të vërtetë që menaxhojnë ‘llogari tematike’ (ose një kombinim i të dyjave, për të maksimizuar shtrirjen algoritmike)”, thuhet në raport.
Autorët kanë gjetur se figurat politike kryesore shfaqen dukshëm në mbarë platformën, duke përfituar shpesh në mënyrë të tërthortë nga përpjekjet e koordinuara të amplifikimit duke u bërë virale.
Shumica e aktiviteteve të dokumentuara ishin të përqendruara te Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe lideri i saj, Albin Kurti.
Për shembull, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është përmendur më së shumti apo 16.582 herë, sipas raportit gjatë muajit të fushatës. Partia e tij, LVV, është përmendur 2.218 herë.
Nga partitë tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është përmendur më së shumti, 6.161 herë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës 3.310 herë.
Sipas gjetjeve, të gjitha partitë kryesore kosovare kanë prani aktive në TikTok, edhe pse platforma është zyrtarisht e ndaluar në institucionet shtetërore për arsye të sigurisë kibernetike.
