Në muajin gusht të këtij viti, Valentino Corleone, i cili njihet nga të gjithë me nofkën Vali Corleone, u plagos me armë zjarri nga një 22-vjeçare.

Autorja e ngjarjes është Anita Syla, e cila qëlloi me armë Corleonen në banesën ku dyshja bashkëjetonin prej kohësh.

Më herët, Gjykata Themelore në Gjilan vendosi masën e paraburgimit me 30 ditë për Sylën. Ndërsa së fundmi është zhvilluar një tjetër seancë, ku përmes avokatit të saj, Ramadan Leka, Anita ka pranuar fajësinë për të tri veprat penale me të cilat e ngarkonte akuza.

Si pasojë, gjykata gjatë seancës së fundit ka vendosur masën gjobë 1 mijë euro, për akuzën se nën ndikimin e substancave narkotike, e kishte plagosur të dëmtuarin Valentino Corleone, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Gjithashtu bëhet e ditur se kjo shumë duhet të paguhet në një afat prej 30 ditësh. Nëse jo, dënimi me gjobë zëvendësohet në dënim me burgim prej 50 ditësh.

E akuzuara dhe i dëmtuari Corleone, gjatë dëshmive të tyre para trupit gjykues, kanë deklaruar se ngjarja kishte ndodhur në mënyrë aksidentale dhe pa paramendim për të shkaktuar rrezik për të pranishmit dhe se e njëjta kishte ardhur si pasojë e ndikimit të substancave narkotike.