Kosova pritet të përballet me sanksione nga Bashkimi Evropian, në rast se tensionet në veri të vendit përkeqësohen.

Ky ëhstë alarmi i ngritur së fundmi, teksa mediat në Prishtinë publikojnë një përgjigje të zëdhënsit Peter Stano, i cili thotë se “zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm sa dëshmojnë se përshkallëzimi ende vazhdon, dhe kjo është në kundërshtim me interesin e Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve të saj. Ne kemi diskutuar me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian një përmbledhje të masave që duhen marrë, në rast se kryeministri Kurti nuk hedh hapat e duhur dhe të menjëhershëm për të ulur tensionet”.

Po ashtu, duke iu referuar burimeve diplomatike në Bruksel, mediat në Prishtinë publikojnë një sërë masash që Bashkimi Evropian ka “përgatitur si masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri”.

Sipas këtyre masave, thuhet se “sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes”.

Sanksioni tjetër pritet të përfshijë “punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, njoftoi në orët e vona të së martës në një konferencë për medie, se është anuluar një mbledhje e të dy qeverive të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që ishte parashikuar  të mbahej më 14 qershor në qytetin e Gjakovës. Kryeministri i Shqipërisë, tha se i ka kërkuar homologut të tij kosovar, Albin Kurti, që të ndryshohet formati i mbledhjes së dy qeverive, por Kurti nuk ka pranuar.

“E kam informuar kryeministrin Kurti, se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, tha Rama duke njoftuar se paraprakisht ka pasur një bisedë telefonike me shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell.

“Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do verë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë”, paralajmëroi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Ai tha se ndjen keqardhje që nuk gjeti dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Ai tha se ka bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë ndërkombëtarëve dhe se ka marrë edhe pak kohë, por paralajmëroi se nëse kjo kohë nuk shfrytëzohet, atëherë siҫ tha Rama, “kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”.

Tashmë është anuluar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa i cili duhej të ishte mbajtur më 8 qershor, ndërmjet Kosovës dhe BE-së./ DW